Individ > Deklarimi dhe pagesa > Formulari i deklarimit

Formulari i deklarimit

Plotësimi i deklaratës
Deklarata vjetore e të ardhurave, plotësohet nga individi që mbart detyrimin për të deklaruar.

  • Individi i cili ka detyrimin për të plotësuar e dorëzuar deklaratën individuale vjetore të të ardhurave personale, ka të drejtë të emërojë me prokurë, përfaqësuesin e tij ligjor për të plotësuar apo dorëzuar deklaratën e tij.
  • Përfaqësuesi i individit deklarues është një person i përzgjedhur prej tij për ta përfaqësuar në lidhje me çështjet tatimore. Përfaqësuesi i individit, merr përsipër të drejta dhe detyrime të individit dhe administrata tatimore, është e detyruar të bashkëpunojë dhe operojë me të.
  • Emërimi i një përfaqësuesi, nuk e shkarkon individin deklarues nga përgjegjësia tatimore.

Ai mbetet ligjërisht përgjegjës, për përmbushjen e detyrimeve tatimore të tij.

  • Fakti që përfaqësuesi i individit, mund të bëjë një gabim në deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore, nuk e shkarkon këtë të fundit, nga përgjegjësia për gabimin.

Për t’u identifikuar si deklarues, si kod fiskal i individit shërben:

  • numuri i identifikimit personal, në letërnjoftimin e tij.
  • për personin jorezident, numuri i identifikimit personal, në letërnjoftimin e individit jorezident.

Deklarata përmban të dhëna për:

  • të ardhurat bruto,
  • shpenzimet e zbritshme të kryera,
  • tatimet e paguara, gjatë periudhës tatimore (viti kalendarik)

Modeli dhe përmbajtja e Deklaratës
Modeli i formularit të deklaratës individuale të të ardhurave, miratohet me udhëzim nga Ministri i Financave. Më poshtë do të gjeni modelin e miratuar të deklaratës (Formulari D1 dhe D2):

Modeli i Deklaratës (Formulari/D1):
Deklarata individuale vjetore e të ardhurave

Modeli i Deklaratës (Formulari/D2):
Deklarata individuale vjetore e të ardhurave për individët e huaj

  • Në pjesën e parë të deklaratës,shënohet periudha tatimore që lidhet me vitin kalendarik, në të cilin individi ka përftuar të ardhurat, si dhe të dhëna identifikuese të tij.
  • Në pjesën e dytë, paraqiten të dhënat që mundësojnë llogaritjen e tatimit, konkretisht:

Të ardhurat bruto

  • Të ardhurat bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, plotësohet për totalin e pagave dhe shpërblimeve, që deklaruesi përfiton nga të gjitha marrëdhëniet e punësimit gjatë periudhës tatimore.
  • Fitimi nga zhvillimi i veprimtarisë së Biznesit të Vogël, plotësohet nga deklaruesi për shumën e fitimit të tatueshëm që deklaruesi i vetëpunësuar, realizon nga veprimtaria e biznesit të vogël me qarkullim mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë.
  • Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesmarrje në shoqëritë tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit, do të plotësohet, për shumën e dividentit që deklaruesi përfiton, nga të gjitha pjesmarrjet e tij në shoqëritë tregtare, apo veprimtaritë e biznesit.
  • Të ardhurat bruto nga qiratë, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto që individi realizon nga dhënia me qira e një ose disa objekteve.

Sqarim:
Në rastin e qiradhënies midis dy individëve perfituesi i të ardhurave është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor përkatës tatimin në masën 15% të të ardhurave të realizuara, jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa. Për këtë qëllimi shërben formulari:
Deklaratë e tatimit mbi të ardhurat nga burime të tjera 

  • Fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtëshme (toke, ndertese) në pronësi të deklaruesit, do të plotësohet për fitimin kapital te realizuar.

Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme, përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi).

Fitimi kapital është i barabartë me diferencën e çmimit të shtijes me çmimin e blerjes së pasurisë së paluajtëshme.

  • Të ardhurat bruto nga interesat bankare, do të plotësohen për totalin e të ardhurave nga interesat bankare që individi ka përfituar, gjatë periudhës tatimore.
  • Fitimi kapital neto i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtëshme do të plotësohet për totalin e fitimeve të realizuara nga investimet në tituj, shitje aksionesh, e pasuri të paluajtëshme, përvec se tokë e ndërtesë

Me termin “fitim kapital i realizuar” kuptohet diferenca ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë.

Në rastin e shitjes së aksioneve,vlera e tatueshme është diferenca midis të ardhurave nga shitja e aksioneve me vlerën nominale ose të blerjes aksioneve.

  • Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojra të tjera të fatit, do të plotësohet për totalin e shumave bruto të fituara nga lotaritë apo lojra të tjera të fatit.
  • Të ardhura bruto nga pasuri intelektuale liçensa, të drejta ekskluzive dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto nga të gjitha, sa përshkruar më sipër.
  • Fitimet kapitale nga dhurimi, do të plotësohet për shumën e fitimeve kapitale të realizuara nga dhurimi. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor, do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes.
  • Të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto, të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
  • Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart, do plotësohet për totalin e të ardhurave bruto të tjera, të cilat nuk janë të përfshira në të ardhurat e sipërshënuara.

Shpenzime të zbritshme

  • Shuma e interesit bankar të kredisë së marrë, për shkollim për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, do të plotësohet për shumën e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, nga banka brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
  • Shpenzimet për mjekim për vete, apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, do të plotësohet mbështetur në faturat e lëshuara nga institucionet shëndetësore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, për justifikimin e shpenzimeve për mjekim,sipas përcaktimeve në aktet nënligjore.

Tatimi i llogaritur për t'u paguar
Llogaritet shuma e të ardhurave të tatueshme, për diferencën ndërmjet:

  • shuma e të ardhurave bruto, me
  • shuma e shpenzimeve të zbritshme.

Llogaritet shuma e tatimit, që rezulton nga shumëzimi i:

  • të ardhurave të tatueshme, me
  • shkallën tatimore 15%.

Tatime të paguara gjatë periudhës tatimore
Rubrikat të veçanta të deklaratës plotësohen me:

  • tatime të paguara gjatë vitit kalendarik, llogaritur mbi të ardhurat bruto.
  • tatimin e llogaritur e të paguar, mbi të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Repubikës së Shqipërisë.
  • kreditimi i tatimit te huaj, është shuma në lekë e tatimit të huaj e paguar nga individët, për të ardhurat me burim nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, deri në masën që këto të ardhura do të tatoheshin me shkallën tatimore 15%.

Tatimi i paguar tepër nga viti i mëparshëm dhe i parimbursuar, plotësohet për shumen e tatimit të paguar tepër, nga viti i mëparshëm dhe që rezulton i parimbursuar deri në ditën e deklarimit.

Kërkesë për rimbursim, plotësohet për shumën që kërkohet të rimbursohet.

Tatimi i paguar tepër (për rimbursim), plotësohet për diferencën nëse tatimi i paguar gjatë periudhës tatimore, është më i madh se tatimi i llogaritur sipas deklaratës .

Tatimi i detyrueshëm për t’u paguar, plotësohet për diferencën midis:

  • shumës së tatimit të llogaritur sipas deklaratës, minus
  • shumën e tatimit të paguar,
  • minus tatimin e paguar tepër nga viti i mëparshëm dhe i parimbursuar.

Mënyra e deklarimit
Dorëzimi për:

  • formularin D1 - Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave;
  • formularin D2 - Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave për Individët e Huaj,

kryhet nëpërmjet formës elektronike dhë është i disponueshëm në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Afati i deklarimit
Individët rezidentë dhe individët jorezidentë, subjekt i deklarimit, dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore, jo më vonë se data 30 prill, e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi.

Dokumenta ndihmëse