Individ > Deklarimi dhe pagesa > Ankimimi

Ankimimi

Ku mund të ankohemi për veprime të administratës tatimore që i konsiderojmë të padrejta?

Ankimi bëhët vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor e cila që nga 1 Janari vitit 2017, është pjesë e strukturës së Ministrisë së Financave.

Çfarë rregullash ka për të bërë një ankim:

  1. Duhet të kesh një dokument (të dërguar nga adminstrata tatimore) i cili prek interesat e tatimpaguesit (lexo më poshtë se ç’mund të jetë ky dokument).
  2. Të ankohesh brënda 1 muaji nga marja dijeni për aktin administrativ që të ka dërguar administrata tatimore.
  3. Brënda këtij muaji duhet të paguash ose të vendosësh garanci bankare për detyrimet që përmban njoftimi i vlerësimit së bashku me kamatvonesat deri në datën e pagesës. Gjobat, as nuk parapaguhen e as vihet garanci.

Kujdes! Pa këto dokumenta, Drejtoria e Apelimit e refuzon ankimin.

Përse mund të ankohemi?

  • Për çdo “Njoftim-vlerësimi për detyrimet tatimore” që ju ka dërguar administrataa tatimore dhe ju me gjykoni të padrejtë.
  • Çdo akt që ndikon në kërkesën për rimbursim të tatimpaguesit.
  • Çdo akt që ndikon në kërkesën e tatimpaguesit për lehtësim tatimor.
  • Mund të ankimohen gabimet e bëra nga administrata në llogaritjen e përqindjes së kamatvonesës.
  • Vendosjen ose gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të ndryshme të gjobave.
  • Ankimi mund të bëhet edhe kundër një mosveprimi, të administratës tatimore që ndikon në detyrimin tatimor të tatimpaguesit.

Kujdes! Nuk mund të ankimohen masat administrative që kanë të bëjnë me masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore:

  • si urdher bllokimi i llogarive bankare;
  • njoftim dhe kërkesë për të paguar;
  • njoftimi për palë të treta dhe aktet administrative që lidhen me konfiskimin e mallrave.

Ç’dokumenta duhen dërguar në Drejtorinë e Apelimit për ankimin?

  1. Kërkesën me shkrim ku të përshkruajë pretendimet e tij. Në këtë kërkesë duhet të shënohen emri dhe adresa e tatimpaguesit; kodi fiskal i regjistrimit të tatimpaguesit dhe në mbyllje të saj e nënshkruan.
  2. Aktin adminstrativ të nxjerë nga administrata tatimore.
  3. Vërtetimin e pagesës së detyrimit dhe kamatvonesave (urdhër-pagese i kaluar në bankë). Në mungesë të pagesës, garanci bankare ku të përfshihen detyrimet+ kamatvonesat.
  4. Informacione në mbështetje të ankimit si raporte kontrolli, proces-verbale, akte-konstatimi etj.
  5. Çdo dokument tjetër që që ankimuesi e çmon të rëndësishmë se ndihmon zgjidhjen e drejtë të çështjes.

Si dërgohet ankimi në Drejtorinë e Apelimit?
Ankimi mund te dorëzohet dorazi ose dërgohet me postë rekomande. Datë e marrjes se ankimimit nga Drejtoria e Apelimit Tatimor konsiderohet data e protokollimit në për ankimet e dorëzuara dorazi dhe data e dorëzimit në postë kur ankimi bëhet nëpërmjet postës.

Kujdes! Tatimpaguesi, në dokumentat që dorëzon për ankim, duhet të vërtetojë datën e marrjes së aktit administrativ, objekt ankimi. Si provë, mund të shërbejë kopja e zarfit nëpërmjet të cilit është dërguar ankimi pranë tatimpaguesit, kopja e regjistrimit të dorëzimit të objekteve postare nga zyra postare etj.

Disa çështje që duhen mbajtur parasysh gjatë apelimit:

  1. Drejtoria e Apelimit gjatë shqyrtimit mund të kërkojë dokument shtesë dhe tatimpaguesi është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës.
  2. Barra e provës për të vërtetuar të kundërtën e vlerësimit të administratës tatimore i takon tatimpaguesit.
  3. Në rast se tatimpaguesi e ka humbur afatin e ankimit, ai duhet të argumentojë dhe provojë me dokumentacionin e nevojshëm se humbja e afatit të ankimit nuk është për faj të tij.
  4. Mbas rivendosjes në afat, ankimi duhet bërë mbas 15 ditësh e jo pas 1 muaji sikurse ishta pa e humbur këtë afat.
  5. Në rast se tatimpaguesi ka dëshirë të dëgjohet edhe me gojë, ai mund ta kërkojë këtë në ankimin e vet.