Individ > Kategoritë > Fermerë

Fermerë

Fermeri, është prodhues bujqësor, i vetëpunësuar, që zhvillon aktivitetin me krahun e vet të punës dhe me mjetet e punës që disponon, në veprimtarinë e prodhimit bujqësor, pyjor dhe peshkimit.

Fermerët të cilët shesin prodhimet e tyre tek sipërmarrësit (tregtarë), janë të detyruar të regjistrohen dhe të pajisen me certifikatën e NIPT-it.

Regjistrimi
Aplikimi dhe pajisja me certifikatën e NIPT-it, bëhet nga vetë fermeri, pranë drejtorisë rajonale tatimore të juridiksionit sipas ndarjes së organizimit administrativ.

Dokumentacioni për regjistrim:

  • Aplikimin për regjistrim sipas formularit përkatës të plotësuar e nënshkruar nga kërkuesi
  • Dokumentin origjinal të identifikimit (letërnjoftimit)/ose kopje të noterizuar të këtij
    dokumenti, i cili i bashkëngjitet aplikimit për regjistrim.
  • Vërtetimin origjinal lëshuar prej drejtorisë rajonale të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në bazë të të cilit vërtetohet aktiviteti prodhues bujqësor i fermerit.

Të dhënat e detyrueshme:

  • Adresa e banimit, kontakte të personit;
  • Vendi i ushtrimit të veprimtarisë, prodhuese bujqësore;
  • Fusha e veprimtarisë prodhuese bujqësore, ku nëse fermeri, kryen disa veprimtari prodhuese bujqësore, atëherë citohen disa duke filluar nga ajo, që mban peshën kryesore;
  • Specimeni i nënshkrimit (firmës) të individit-fermer.

Dokumentet shoqëruese të aplikimit, duhet të dorëzohen në origjinal ose kopje të njësuara me origjinalin, si dhe nuk duhet të përmbajnë korrigjime ose fshirje

Ndryshimet në regjistrim
Fermeri është i detyruar të deklarojë në drejtorinë rajonale tatimore, ku është pajisur me çertifikatën e NIPT-it, ndryshimet në të dhënat e regjistruara të tilla si:

  • të dhënat e identifikimit,
  • vendit të ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore, për shkak të tjetërsimit të tokës bujqësore
  • apo çdo ndryshim tjetër, në të dhënat e deklaruara në momentin e regjistrimit.

Çregjistrimi
Fermeri çregjistrohet në mënyrë vullnetare nëpërmjet aplikimit për çregjistrim.

Aplikimi bëhet sipas formularit përkatës, duke dorëzuar në të njëjtën kohë certifikatën e NIPT- it në drejtorinë rajonale tatimore në të cilën kjo certifikatë është lëshuar.

Detyrimet që duhet të paguajnë
Fermerët e regjistruar në kuptimin e dhënë më lart, nuk kanë asnjë përgjegjësi tatimore e për rrjedhojë asnjë detyrim për të paguar.