Sipërmarrës > Të veprosh si një biznes > Taksa kombëtare

Taksa kombëtare

Përcaktimi i llojeve të taksave dhe tarifave kombëtare që zbatohen në Republikën e Shqipërisë, niveli i taksave kombëtare, procedurat e llogaritjes, të arkëtimit dhe transferimit në Buxhetin e Shtetit ose në buxhetin e njësive të qeverisjes vendore të taksave dhe tarifave kombëtare, si dhe detyrimet që kanë agjentët e taksave dhe tarifave kombëtare, bëhen me ligjin Nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për Taksat Kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

“Taksë” është pagesa e detyrueshme dhe e pakthyeshme në Buxhetin e Shtetit që paguhet nga çdo person apo nëpërmjet një agjenti që ushtron një të drejtë publike apo përfiton një shërbim publik në territorin e Republikës së Shqipërisë.

“Tarifë” është një pagesë, që një individ, person fizik apo juridik, bën drejtpërdrejt apo nëpërmjet një agjenti tek administrata tatimore qendrore. Pagesa bëhet në shkëmbim të një shërbimi specifik të marrë, të mire publike specifike të përdorur apo të drejte të dhënë.

Taksat kombëtare janë:

  1. Taksa portuale.
  2. Taksa e qarkullimit për benzinën.
  3. Taksa e mjeteve të përdorura të transportit.
  4. Taksa e rentës minerare.
  5. Taksa e akteve dhe e pullës.
  6. Taksa e karbonit për benzinën.
  7. Taksa e ushtrimit të veprimtarisë së peshkimit.
  8. Taksa e ambalazheve.
  9. Taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim.
  10. Taksa mbi primet e shkruara, me përjashtim të primeve të sigurimit për produktet e jetës, shëndetit në udhëtim dhe kartonit jeshil.
  11. Taksë regjistrimi fillestar dhe taksë e përvitshme për automjetet luksoze.

Sipas llojit të taksave kombëtare, agjentët që ngarkohen me vjeljen e tyre janë:

  1. Për taksat portuale, kapiteneria e porteve, e cila i vjel këto taksa drejtpërdrejt ose nëpërmjet agjencive detare, shtetërore apo private;
  2. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nëpërmjet degëve të doganave në rrethe, për taksën e qarkullimit për benzinën dhe gazoilin e importuar, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet degëve të saj, për benzinën dhe gazoilin e prodhuar në vend.
  3. Për taksën vjetore të mjeteve të përdorura ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
  4. Për taksën e rentës minerare, organet doganore e tatimore;
  5. Për taksën e akteve dhe të pullës, zyrat e gjendjes civile;
  6. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nëpërmjet degëve të doganave në rrethe, për taksën e karbonit për benzinën, gazoilin, qymyrin, vajgurin, solarin, mazutin dhe koksin e naftës e importuar, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet degëve të saj, për benzinën, gazoilin, qymyrin, vajgurin, solarin, mazutin dhe koksin e naftës të prodhuar në vend, në bazë të sasive të prodhimit.
  7. Për taksën e ushtrimit të veprimtarisë së peshkimit ngarkohet Drejtoria e Politikave të Peshkimit dhe degët e saj në rrethe.
  8. Për taksën e ambalazheve njëpërdorimshme të plastikës dhe qelqit ngarkohen:
  9. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nëpërmjet degëve të saj doganore, për vjeljen e kësaj takse në import;
  10. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet drejtorive të saj rajonale, për vjeljen e kësaj takse për prodhimin vendas.
  11. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet drejtorive të saj rajonale, ngarkohet me mbledhjen e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror.
  12. Shoqëritë e sigurimit të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ngarkohen me mbledhjen e taksës mbi primet e shkruara.
  13. Për taksën e regjistrimit fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Dokumenta ndihmëse