Sipërmarrës > Të veprosh si një biznes > Transferimi i Çmimit

Transferimi i Çmimit

Transferimit i Çmimit është sanksionuar në ligj Nr. 42/2014 për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për Tatimin Mbi Të Ardhurat”, të ndryshuar.

Qëllimi Transferimit të Çmimit për administratën tatimore është ruajtja e bazës së taksueshme për transaksionet ndërmjet kompanive që konsiderohen palë të lidhura dhe për tatimpaguesin është shmangia e tatimit të dyfishtë.

Transferimi i Çmimit evidenton transaksionet e realizuara të shoqërive multinacionale me pjesë të veprimtarive të biznesit të tyre në Shqipëri (në formën e një filiali apo dege).

Nëse një tatimpagues që është subjekt i tatimfitimit merr pjesë në një apo më shumë transaksione të kontrolluara, ai duhet të përcaktojë fitimin e tatueshëm në një mënyrë që është në përputhje me parimin e tregut (arm’s length).

Përputhshmëria me parimin e tregut e një transaksioni të kontrolluar do të përcaktohet duke aplikuar metodën më të përshtatshme të transferimit të çmimit

Ligji dhe udhezimi i Transferimit të Çmimit përcakton që tatimpaguesit të përgatisin dhe paraqesin informacion të mjaftueshëm dhe analiza për të verifikuar që kushtet e transaksioneve të tyre të kontrolluara janë në përputhje me parimin e tregut.

Udhëzimi i Transferimit të Çmimit përcakton se subjekt i plotësimit të këtij formulari është vetëm tatimpaguesi i cili gjatë periudhës raportuese ka transaksione te kontrolluara totale (duke përfshirë tepricat e huave) që kalojnë 50.000.000 lekë. Në përcaktimin e transaksioneve të kontrolluara totale të një tatimpaguesi për periudhën raportuese, duhet të përdoren vlerat absolute.

Afati për dorëzimin e “Njoftimit vjetor për transaksionet e kontrolluara” është data e përcaktuar për dorëzimin e “Formularit të deklarimit dhe pagesës së tatim fitimit”. Në rast të mosparaqitjes në kohë të “Njoftimit të transaksioneve vjetore të kontrolluara”, në përputhje me dispozitat përkatëse të udhëzimit të Ministrit të Financave, “Për transferimin e çmimit”, tatimpaguesi dënohet me një gjobë fikse prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh, për çdo muaj vonesë.

Paketa ligjore e transferimit të çmimit gjendet në fund të kësaj faqe.

Institucionet ndërkombëtare që asistuan në ngritjen e sektorit dhe realizimin e paketës ligjore

  • Grupi i Bankës Botërore – ekspert të IFC-së
  • OECD, në bashkëpunim me Agjencinë e të Ardhurave Italiane – përmes programit "Inspektorët e taksave pa kufij"

Dokumenta ndihmëse