OJF & Ente Publike > Të veprosh si një OJF apo Ent Publik > Tatimi mbi vlerën e shtuar

Tatimi mbi vlerën e shtuar

A. Nëse një OJF apo Ent Publik kryen furnizime të tatueshme, mallra apo shërbime,ato detyrohen të jenë të regjistruar për përgjegjësinë tatimore të TVSH-së.

B. TVSH-ja është një tatim i përgjithshëm mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve, proporcional me çmimin e tyre, që i ngarkohet në çdo fazë të prodhimit dhe procesit të shpërndarjes çmimit pa tatimin.

C. TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe bëhet e kërkueshme për t’u paguar pas zbritjes së TVSH-së që rëndon drejtpërdrejt elementet e kostos së mallrave dhe të shërbimeve.
Tatimit mbi vlerën e shtuar i nënshtrohen të gjitha furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, të kryera kundrejt pagesës, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga një person i tatueshëm si dhe të gjitha importet e mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në transaksionet e tatueshme hyjnë:

  • Furnizimi i mallrave, që nënkupton transferimin e së drejtës për të disponuar si pronar pasurinë e trupëzuar;
  • Furnizimi i shërbimeve, që nënkupton çdo transaksion që nuk është furnizim mallrash, përveç rasteve që në këtë ligj përcaktohet ndryshe;
  • Importimi i mallrave, që nënkupton çlirimin për qarkullim të lirë i mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  • Vetëfurnizimi i mallrave dhe shërbimeve, nënkupton çdo furnizim kundrejt pagesës nga personi i tatueshëm, furnizimin e mallrave të prodhuara, të ndërtuara, të nxjerra, të përpunuara, të blera ose furnizimi i shërbimeve në kuadër të veprimtarisë së tij ekonomike për t’u përdorur për nevoja të kësaj veprimtarie.
  • Transferimi i veprimtarisë, konsiderohet transferimi kundrejt pagesës ose jo apo në formën e një kontributi në një sipërmarrje i tërësisë së aseteve apo të një pjese të tyre.
  • Furnizimet e përziera.

Shkalla standarde e tatimit mbi vlerën e shtuar

  1. Shkalla standarde e tatimit mbi vlerën e shtuar për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve e cila aplikohet si një përqindje e vlerës së tatueshme, është 20 për qind. Shkalla e TVSH-së, e aplikueshme për importimet e mallrave, është ajo që aplikohet në territorin e Republikës së Shqipërisë për shitjen e të njëjtit mall.
  2. Përveç shkallës standarde të TVSH-së, mund të aplikohet shkalla e reduktuar e TVSH-së, e cila aplikohet si një përqindje e vlerës së tatueshme.
  3. Gjithashtu ka furnizime të mallrave dhe shërbimeve, të cilat janë të përjashtuara nga TVSH.
  4. Eksportet konsiderohen furnizim me shkallë 0 të TVSH-së.

Përjashtimi nga TVSH

Bazuar në VKM Nr.953 datë 29.12.2014 (dokumentin e gjeni në fund të kësaj faqe)

A. Kriteret për zbatimin e përjashtimit për organizatat jofitimprurëse

Oraganizatat joftimprurëse përjashtohen nga TVSH-ja nëse plotësojnë kriteret dhe procedurën për furnizmet si më poshtë:

  1. Furnizimi i shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me ndihmën dhe asistencën sociale, përfshirë veprimet që kryejnë shtëpitë e kujdesit për të moshuarit;
  2. Furnizimi i shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve;
  3. Furnizimi i shërbimeve të caktuara, të lidhura ngushtë me ushtrimin e sportit ose të edukimit fizik, që u ofrohen personave që marrin pjesë në ushtrimin e sportit apo të edukimit fizik;
  4. Furnizimi i shërbimeve të caktuara kulturore dhe edukative, si dhe mallrave që lidhen ngushtësisht me to.

B. Kriteret për vlerësimin e qëllimit jofitimprurës të organizatës

Këto furnizime me karakter shoqëror, edukativ, kulturor, sportiv përjashtohen nga TVSH-ja kur kryhen nga organizma publikë apo nga organizata pa qëllim fitimi me karakter social, të njohura nga autoriteti kompetent në Republikën e Shqipërisë dhe me çmime të miratuara nga ky autoritet.

Kujdes
Në rast se këto çmime nuk janë të miratuara, veprimtaria e organizatës përfiton këtë përjashtim nga TVSH-ja, me kusht që çmimet e furnizimeve që ofron organizata jofitimprurëse të jenë më të ulëta se ato që ofrohen për furnizime të ngjashme nga ana e subjekteve të TVSH-së, me qëllim që të mos sjellë shtrembërim të konkurrencës.

C. Kushtet që duhet të plotësojnë organizatat jofitimprurëse për të zbatuar përjshtimin nga TVSH

  1. Organet drejtuese të organizatës nuk duhet të kenë interesa të lidhur drejtpërdrejt me veprimtarinë e organizatës.
  2. Veprimtaria joekonomike (pa qëllim fitimi) e organizatës duhet të mbizotërojë dukshëm në raport me pjesën tjetër të veprimtarisë, duke marrë në konsideratë të ardhurat përkatëse, duhet të kenë epërsi të ardhurat nga veprimtaria joekonomike e organizatës.
  3. Furnizimet që kryhen nga organizatat jofitimprurëse nuk duhet të konkurrojnë sektorin tregtar fitimprurës. Shuma e të ardhurave nga veprimtaria ekonomike e organizatës si veprimtari dytësore e saj, e kryer prej këtyre organizatave për qëllime të veprimtarisë jofitimprurëse, për të cilën janë krijuar, të arkëtuara gjatë vitit kalendarik, nuk duhet të kalojë 20% të të ardhurave të përgjithshme vjetore të organizatës.
    Nocioni i “të ardhurave të përgjithshme” përmbledh të gjitha burimet financiare të organizatës, përfshirë të ardhurat nga furnizimet dhe subvencionet e shfrytëzimit.

Kujtesë

  1. Nëse ndonjëri nga tre kriteret e përmendura në pikën nuk plotësohet, atëherë furnizimet që kryen organizata nuk përfitojnë nga përjashtimi.
  2. Përfitojnë nga përjashtimi organizatat jofitimprurëse të cilat kryejnë ndonjë nga veprimtaritë e përjashtuara nga TVSH-ja sipas ligjit, duke plotësuar të njëjtat kushte dhe kritere si personat fizikë dhe juridikë që kanë qëllime fitimi.
  3. Organizatat, që përfitojnë nga përjashtimi për të paguar TVSH, përfitojnë gjithashtu nga përjashtimi i TVSH-së në import për mallrat në funksion të veprimtarisë së tyre jofitimprurëse.

D. Organizmat që përfshihen sipas formës së organizimit të tyre

Organizmat që përfitojnë nga ky përjashtim kur plotësojnë kriteret e sipërpërmendura për veprimtarinë ekonomike që ato kryejnë, janë:

  • shoqatat me interes të përgjithshëm të organizuara në një formë, të tillë si organizatat politike, sindikaliste, profesionale, filozofike ose fetare, shoqatat kulturore, social-kulturore ose sportive, shoqatat folklorike etj;
  • organizatat e krijuara sipas ligjit “Për organizatat jofitimprurëse”, të cilat veprojnë pa qëllime fitimi, të tilla si fondacione, grupime të ndërvarura, komitete të ndryshme.
    Këto organizata jofitimprurëse, që veprojnë në këtë mënyrë, përjashtohen për shërbimet me karakter social, edukativ, kulturor apo sportiv, si dhe për furnizimet e mallrave që u ofrojnë me çmime të reduktuara kryesisht anëtarëve të tyre por edhe të tjerëve, si pjesë e aktivitetit dytësor të tyre të kryer në funksion të qëllimit të tyre jofitimprurës.

Kujdes
Organizatat pa qëllim fitimi nuk duhet të përdorin reklamat, të njohura si praktika të përdorura për arsye tregtare, të cilat u drejtohen personave joanëtarë për të reklamuar ose për të bërë të njohur veprimtarinë e organizatës.
Nëse ato reklamojnë veprimtarinë e tyre, atëherë furnizimet e tyre nuk përfitojnë nga ky përjashtim.

Në kuadër të furnizimit të shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me mbrojtjen e fëmijëve, cilido qoftë personi juridik, ent publik, shoqatë, ndërmarrje, përjashtohen furnizimet e kryera nga institucionet që kujdesen për fëmijët e moshës deri në tre vjeç të cilat që në gjuhën e përditshme njihen “çerdhe”.

E. Për zbritshmërinë e TVSH-së

Organizatat jofitimprurëse që përfitojnë nga përjashtimi prej TVSH-së për furnizimet që ofrojnë në kuadër të veprimtarisë së tyre ekonomike, nuk kanë të drejtë të zbresin TVSH-në për mallrat dhe shërbimet e blera për qëllime të furnizimeve të përjashtuara nga TVSH

F. Detyrimi për deklaratën e TVSH-së.

Organizatat jofitimprurëse, të cilat kryejnë veprimtari ekonomike, si veprimtari dytësore të tyre, edhe kur përfitojnë nga përjashtimi i TVSH-së sipas këtij vendimi detyrohen të bëjnë deklarimet për TVSH-në në afatet dhe formën që përcaktohet në ligj.
Në deklaratën e TVSH-së do të deklarohen vetëm furnizimet e kryera në kuadër të veprimtarisë ekonomike si shitje dhe blerje të përjashtuara nga TVSH-ja.

G. Procedura për aplikimin e përjashtimit nga organizatat jofitimprurëse

Organizata jofitimprurëse, e cila kryen veprimtari ekonomike si veprimtari dytësore të saj dhe që plotëson kriteret e përcaktuara, që të aplikojë përjashtimin nga TVSH-ja për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve që kryen, detyrohet të kryejë procedurat e mëposhtme:

  1. Paraqet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është e regjistruar dokumentet e mëposhtme:
  2. Vendimin e gjykatës (fotokopje e noterizuar);
  3. Statutin e organizatës jofitimprurëse dhe kontratën e themelimit;
  4. Një deklaratë në të cilën deklaron të listuara të gjitha shërbimet dhe mallrat që furnizon për anëtarët e saj ose për persona të tretë së bashku me çmimet që organizata aplikon për secilin furnizim;
  5. Një deklaratë ku shpreh misionin dhe qëllimin e OJF-së, si dhe identifikon programet kryesore të veprimtarisë;
  6. Një deklaratë ku të deklarohet dhe të identifikohet kategoria e personave, grupeve në nevojë, të cilëve u shërben;
  7. Një deklaratë ku të specifikojë burimet e financimit të organizatës sipas zërave, përfshirë edhe të ardhurat e realizuara ose të pritshme nga veprimtaria ekonomike.

Në këtë deklaratë, organizata duhet të deklarojë në përqindje të përafërt të pjesës që zë ose pritet të zërë veprimtaria ekonomike e organizatës në raport me atë joekonomike. Kjo deklaratë kërkohet si në rastin kur organizata është regjistruar rishtas dhe nuk ka kryer më parë veprimtari ekonomike edhe në rastin kur ka kryer veprimtari bazuar në të dhënat e pasqyrave financiare të dorëzuara në organin tatimor.

  • Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është e regjistruar organizata ngre një grup pune (me 2 deri 3 punonjës), i cili shqyrton rastin bazuar në dokumentacionin e paraqitur, situatën që paraqet organizata, historikun e saj (nëse ka) si dhe çdo të dhënë tjetër që disponon.
  • Bazuar në rezultatet e verifikimit, kur plotësohen kriteret e përcaktuara në nenin 2, të këtij vendimi, brenda 25 ditëve pune, grupi i punës i paraqet një raport drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke i propozuar miratimin e përjashtimit nga TVSH-ja për furnizimet që kryen organizata.
  • Nëse gjykohet e nevojshme mund të kryhet edhe verifikim në vend i veprimtarisë së organizatës për llojet e furnizimeve të mallrave dhe shërbimeve të kryera dhe çmimet që aplikon për secilin furnizim. Edhe nëse verifikimi nuk kryhet paraprakisht ai mund të kryhet në çdo kohë prej autoritetit tatimor.
  • Në përfundim të procedurës, jo më vonë se 5 ditë pune, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve lëshon autoizimin për përjashtimin nga TVSH-ja. Nëse autorizimi refuzohet, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve jep arsyet, për të cilat përjashtimi nga TVSH-ja nuk mund të aplikohet prej organizatës.
  • Lëshimi i autorizimit për përjashtim nga TVSH-ja është i vlefshëm për 3 (tre) vjet, me të drejtë rinovimi. Për rinovimin e autorizimit për përjashtimin nga TVSH-ja ndiqet e njëjta procedurë, të njëjtat kushte dhe kritere si në rastin e përfitimit për herë të parë të autorizimit.

Ju kujtojmë

  1. Për organizatat jofitimprurëse që regjistrohen për herë të parë, autorizimi i përjashtimit nga TVSH-ja është i vlefshëm për 1 (një) vit, me të drejtë rinovimi.
  2. Për rinovimin e autorizimit për përjashtimin nga TVSH-ja ndiqet e njëjta procedurë, të njëjtat kushte dhe kritere si në rastin e përfitimit për herë të parë të autorizimit. për herë të parë, autorizimi i përjashtimit nga TVSH-ja është i vlefshëm për 1 (një) vit, me të drejtë rinovimi.
  3. Për rinovimin e autorizimit për përjashtimin nga TVSH-ja ndiqet e njëjta procedurë, të njëjtat kushte dhe kritere si në rastin e përfitimit për herë të parë të autorizimit.

Nuk i nënshtrohen procedurës në fjalë, organizatat jofitimprurëse të cilat nuk kryejnë veprimtari ekonomike në kuadër të veprimtarisë jofitimprurëse që konsiderohen persona të patatueshëm për TVSH-në.
Këta organizata nuk regjistrohen për TVSH-në.

Gjithashtu, nuk i nënshtrohen kësaj procedure organizatat jofitimprurëse të cilat kryejnë veprimtari ekonomike të përjashtuar nga TVSH-ja sipas ligjit, si p.sh. shërbime shëndetësore, arsimore etj, në përputhje me përcaktimet në dispozitat ligjore.

H. Manifestimet e kryera nga organizatat jofitimprurëse për qëllime bamirësie ose mbështetje të shtresave në nevojë

  1. Furnizimi i shërbimeve dhe mallrave të kryera nga organizatat jofitimprurëse, veprimtaria e të cilave përjashtohet nga TVSH-ja, në raste të manifestimeve ose organizimeve për mbledhje fondesh ekskluzivisht për qëllime bamirësie ose në funksion të përmbushjes së qëllimit të veprimtarisë jofitimprurëse të organizatës, përjashtohen nga TVSH-ja nëse numri i këtyre manifesimeve ose organizmave nuk kalon 5 (pesë) të tilla në vit.
  2. Nëse organizohen më shumë manifestime të tilla, përjashtimi nga TVSH-ja aplikohet për të ardhurat e mbledhura vetëm për pesë manifestime.
  3. Megjithatë pavarësisht nga numri, përjashtimi nuk aplikohet nëse organizimi i këtyre manifestimeve me pagesë dhe të hapura për publikun ka karakter të shpeshtë.
  4. Përjashtimi nuk aplikohet për furnizimet e kryera nga personat fizikë ose juridikë tregtarë edhe nëse janë të autorizuar nga organizatorët e manifestimit, që të ushtrojnë për llogarinë e tyre disa veprimtari gjatë zhvillimit të manifestimit, të tilla si shitje produktesh të ndryshme, shfrytëzimi i stendave, bareve etj.

Dokumenta ndihmëse